Dijako: Struga TL dëshiron ta vazhdojë serinë pozitive në shtëpi edhe ndaj Sileksit

Struga Trim & Lum në xhiron e gjashtë të kampionatit e pret një duel me Sileksin. Do të jetë një duel i paparashikueshëm, ndërsa pritshmëritë nga kampi i struganëve i shprehu mesfushori defensiv Lasana Diako, i cili theksoi se skuadra është maksimalisht e motivuar për sukses.

„E gjithë skuadra është shumë e motivuar për këtë ndeshje. E dimë se luajmë kundër një rivali të drejtpërdrejtë dhe jemi të vetëdijshëm se sa i rëndësishëm është ky duel. Do të japim gjithçka nga vetja dhe do të bëjmë maksimumin për t’i fituar tre pikët në terrenin vendas“, deklaroi Diako.

Struga Trim & Lum deri tani ka bilanc maksimal para tifozëve të vet, tri ndeshje dhe tri fitore, pa pësuar asnjë gol. Diako dëshiron që kjo seri të vazhdojë, por paralajmëron se përqendrimi duhet të jetë në nivelin më të lartë gjatë gjithë ndeshjes.

„Çdo ndeshje është e ndryshme. Do të përpiqemi ta vazhdojmë serinë e mirë në shtëpi, por duhet të qëndrojmë të përqendruar nga minuta e parë deri në të fundit“, thotë futbollisti i Struga TL.

Ndeshja ndërmjet Struga Trim & Lum dhe Sileksit është caktuar të zhvillohet në orën 16:00 në stadiumin e qytetit në Strugë, ndërsa do ta gjykojë Aleksandar Grujoski.