Pas fitores së rëndësishme në transfertë kundër Shkëndijës së Haraçinës, skuadra e Arsimit hyn me motivim maksimal dhe energji pozitive para ndeshjes së raundit të 5-të në kampionatin vendor dhe përballjen kundër Skopjes.
Futbollisti i ri dhe premtues, shënuesi i të dy golave në xhiron e fundit, Lorik Kaba Jakupi, para sfidës në Gostivar, ka pritshmëri të mëdha.
"Pas fitores së rëndësishme jashtë fushe kundër Shkëndijës në Çair, jemi të motivuar dhe kemi besim të madh për ndeshjen e radhës kundër Skopjes. Jam veçanërisht i lumtur që isha autor i të dy golave në atë fitore, por merita i takon të gjithë ekipit për përkushtimin dhe punën e shkëlqyer që bëmë në fushë."
"E dimë që na pret një ndeshje e vështirë, por kemi punuar shumë gjatë gjithë javës dhe jemi gati të japim më të mirën në fushë. Po e luajmë këtë ndeshje në Gostivar dhe shpresojmë që tribunat të jenë të mbushura me tifozët tanë. Mbështetja nga publiku është shumë e rëndësishme për ne dhe na jep motivim shtesë për të luftuar për çdo top dhe çdo pikë."
"Duam të vazhdojmë serinë pozitive të rezultateve dhe të festojmë një tjetër fitore së bashku me tifozët tanë. I ftojmë të gjithë sportdashësit dhe mbështetësit e Arsimit të jenë me ne në Gostivar. Do të bëjmë çmos t'ua kthejmë mbështetjen me një tjetër paraqitje të mirë dhe, shpresojmë, me tri pikë", tha Lorik Kaba Jakupi.
Ndeshja Arsimi-Skopjes do të luhet sot, duke filluar nga ora 16:30 në stadiumin e qytetit në Gostivar.





