Struga TL regjistroi fitoren e tretë në ndeshjen e pestë në Ligën e Parë, pasi e mposhti bindshëm Bregalnicën e Shtipit me rezultat 4-0 në fushën e vet. Për “blutë” e Shtipit kjo ishte humbja e tretë në vizitën e tretë sezonale, duke treguar se nuk janë e njëjta skuadër në transfertë , si në stadiumin e tyre në Shtip.
Dy golat e parë u shënuan nga Hristijan Maleski. I pari në minutën e 14-të kur Arbin Vosha krosoi nga e djathta te Shabani, gjuajtja e të cilit u prit dhe topi arriti te Maleski, i cili u gjend i vetëm 6-7 metra larg për të mposhtur Jasharin. Ky ishte rezultati final i pjesës së parë.
Sapo filloi pjesa e dytë, Maleski shënoi golin e dytë. Shabani u gjend në krahun e djathtë në një duel me Rajkovin, dhe lojtari i Bregalnicës, në përpjekje për të larguar topin, përfundoi duke asistuar vetëm për Maleskin, i cili nuk pati vështirësi të shënonte golin e dytë.

Bregalnica pati një shans për të ngushtuar diferencën me anë të Temelkov, por goditja e tij me kokë shkoi pak jashtë portës.
Dy minuta pas këtij rasti, erdhi edhe goli i tretë në rrjetën e Bregalnicës. Një top i gjatë nga Belica drejt Agamës së sapofutur, i cili përfiton nga keqkuptimi mes mbrojtjes dhe portierit Jashar për të shënuar në portën e boshatisur.
Tentativa e Stojanovit u prit nga Vasilev, dhe “shpërbërja” e plotë e Bregalnicës vazhdoi në minutën e 75-të kur, me një pasim nga Bojku, Shabani doli i vetëm para portës së mysafirëve, duke mposhtur Jasharin për rezultatin 4-0.
Maleski humbi dy raste të shkëlqyera për të regjistruar “hat-trick”, por qëllimi i tij për të shënuar golin e tretë personal dhe të pestë për ekipin e tij, përfundoi pa sukses.





