Dzekov: Vendimtare do të jenë mbrojtja, agresiviteti dhe qasja ndaj Zvicrës

Përfaqësuesja A e Maqedonisë të shtunën, më 26 shtator, në fushën e saj e hap ciklin e ri në Ligën B kundër Zvicrës. Pas duelit në Shkup, të përzgjedhurit e Goce Sedlloskit i presin edhe tre ndeshje në një periudhë të shkurtër kohore: ndeshja në transfertë kundër Sllovenisë më 29 shtator, dueli në shtëpi me Skocinë më 3 tetor dhe ndeshja e dytë kundër Zvicrës, më 6 tetor në Lucernë.

Për Gjorgje Xhekovi, periudha e ardhshme ka një rëndësi të veçantë. Futbollisti i ri për herë të parë është pjesë e përfaqësueses seniore dhe e pret me motivim të madh debutimin e tij në ekipin kombëtar.

„Është nder dhe kënaqësi për mua që për herë të parë jam pjesë e përfaqësueses sonë A. E dimë se me çfarë kundërshtari do të përballemi të shtunën. Zvicra është një përfaqësuese e shkëlqyer, çerekfinaliste e Kupës së Botës, me shumë lojtarë cilësorë“, thotë Xhekovi.

Përfaqësuesi i Maqedonisë pret një ndeshje të vështirë, por beson se me angazhim maksimal dhe lojë të disiplinuar mund të arrihet një rezultat pozitiv.

„Detyra jonë është t’i përmbushim pritshmëritë e stafit teknik dhe të japim maksimumin në fushë. Sipas meje, mbrojtja, agresiviteti dhe qasja ndaj lojës do të jenë kyçe për të arritur një rezultat pozitiv kundër Zvicrës, por edhe kundër përfaqësueseve të tjera“, thekson Xhekovi.

Sfida e parë është tashmë të shtunën në Arenën Kombëtare „Todor Proeski“ në Shkup, ku Maqedonia do të ketë mundësinë ta nisë me rezultat të mirë paraqitjen në ciklin e ri të Ligës së Kombeve.