Demiri: E respektojmë Vardarin vetëm deri në fishkëllimën e parë të gjyqtarit

Në kuadër të javës së 8-të të Ligës së Parë të Futbollit të Maqedonisë, Shkëndija nga Haraçina është mysafire e Vardarit. Ekipi nga Haraçina hyn në këtë duel me optimizëm maksimal, i frymëzuar nga seria e shkëlqyer prej katër fitoreve radhazi.

Pas kiksit në shtëpi kundër Arsimit (0-2), skuadra e Shkëndijës kapi ritmin e fitoreve dhe triumfoi në transfertat e vështira ndaj Bashkimit (2-1), Bregalnicës (1-0) dhe Detonit Plaçkovicës (3-1, në Kupën e Maqedonisë), ndërsa në javën e kaluar, para publikut vendas, mposhti edhe skuadrën e Skopjes me rezultat 1-0.

Kapiteni i kuqezinjve, Besir Demiri, thotë se respekti ndaj kundërshtarit përfundon me hyrjen në fushë.

„Ky është një takim si çdo tjetër dhe sjell po aq tri pikë të vlefshme. Jemi në një formë të shkëlqyer, me katër fitore radhazi në Ligën e Parë dhe në Kupë. E respektojmë kundërshtarin deri në fillimin e ndeshjes, por në fushë hyjmë pa asnjë respekt, synojmë vetëm fitoren për ta vazhduar serinë pozitive dhe për t’i gëzuar tifozët tanë besnikë“, deklaroi Demiri.

Kjo do të jetë përballja e parë mes këtyre dy skuadrave në garën e Ligës së Parë. Ndeshja do të zhvillohet në fushat e kompleksit „Shtëpia e Futbollit“ (FFM), me fillim në orën 20:00, ndërsa gjyqtar kryesor do të jetë Done Ristovski.