Shkëndija është rikthyer sërish në rrugën e fitoreve pas dy barazimeve, duke mposhtur Bashkimin në Gostivar me rezultat 4-1 në ndeshjen e xhiros së 8-të. Kuqezinjtë e nisën ndeshjen me ritëm të lartë dhe kaluan herët në epërsi, në minutën e 15-të, përmes Ndzengues, pas asistimit të Tamba-s. Bashkimi arriti të barazojë në minutën e 40-të, kur Ribeiro e dërgoi topin në zonë nga gjuajtja e lirë, ndërsa Fatih Ismaili u gjend më së miri dhe shënoi për 1-1.

Në minutën e 46-të, Trumçi depërtoi nga krahu i djathtë dhe pasoi te Krasniqi, goditja e të cilit u prit nga portieri, por Kryeziu e ndoqi aksionin dhe i dha sërish epërsinë Shkëndijës 2-1. Në minutën e 51-të, Jonuzi goditi shtyllën dhe ishte pranë barazimit, por fati nuk ishte në anën e Bashkimit.

Në minutën e 71-të, Tamba u gjend sërish i vetëm në zonë dhe realizoi për 3-1, ndërsa goditjen përfundimtare e dha Trumçi në minutën e 87-të, kur pas një aksioni nga krahu i majtë portieri e largoi topin para Tambës, por Trumçi ishte në vendin e duhur dhe e dërgoi në rrjetë për 4-1.

Një paraqitje efikase dhe dominuese e skuadrës së Tetovës, e cila konfirmoi forcën e saj në sulm, ndërsa Bashkimi tregoi se është një ekip në ngritje dhe mund të jetë një sfidë serioze për çdo kundërshtar.






