Kampioni aktual Vardari nuk e nisi sipas planit sezonin e ri në Ligën e Parë, ndërsa në xhiron e fundit nuk arriti t’i sigurojë tri pikë kundër Bashkimit, duke luajtur 3-3 në Kumanovë. Por, kjo tashmë i përket së kaluarës, ndërsa vardaristët janë të përqendruar te sfida e re dhe duan të rikthehen në rrugën e fitoreve.
Në stadiumin e kompleksit të FFM-së, Vardari sonte e pret skuadrën e Shkëndijës së Arachinovës, ndoshta edhe surprizën më të këndshme të deritanishme në rrjedhën e kampionatit.
Të përzgjedhurit e Miodrag Bozhoviqit mendojnë vetëm për fitoren dhe tri pikët, ndërsa qëndrimin e përcjell Mihail Manevski.
„Vardari është kampion aktual dhe ne gjithmonë mendojmë vetëm për fitore. Kështu është edhe në prag të ndeshjes së mbrëmjes kundër Shkëndijës së Haraçinës. Ata janë në një ritëm të shkëlqyer dhe kanë regjistruar disa fitore radhazi, ndërsa kjo është edhe një motiv më shumë për ne që të jemi maksimalisht të përgatitur dhe t’i qasemi këtij dueli me vëmendjen e duhur. Jemi të gatshëm për përballje dhe i duam tri pikët“, thotë Manevski.
Për momentin, Shkëndija e Haraçinës është e renditur më mirë se Vardari në tabelë dhe ndodhet në vendin e katërt, me dy pikë më shumë se kampioni aktual.
Ndeshja është caktuar për në orën 20:00 në fushën e Federatës së Futbollit të Maqedonisë, ndërsa do ta gjykojë Done Ristovski.





