Skuadra e Shkëndijës nga Haraçina, të shtunën, në Strugë, do të nis aventurën debutuese në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë.
“Jam i lumtur që do të jem pjesë e ndeshjes historike për klubin e vendlindjes sime. Kjo do të jetë ndeshja jonë e parë në Ligën e Parë dhe, pa dyshim, do të jetë një përzierje emocionesh, krenarie, por njëkohësisht edhe përgjegjësie të madhe,” tha në fillim Besir Demiri.
Mbrojtësi i mirënjohur beson se ekipi nga Haraçina ka pasur përgatitje cilësore për sezonin e ardhshëm.
“Ekipi ka punuar shumë mirë gjatë fazës përgatitore nën drejtimin e trajnerit Berat Imeri. Gjithashtu, kemi pasur edhe prurje të rëndësishme që besoj se do ta rrisin cilësinë e skuadrës,“ potencon Demiri.
Në javën e parë, Shkëndija e Haraçinës do të jetë në transfertë dhe do të përballet me Struga Trim Lum.
“Fati deshi që përballja jonë e parë të jetë pikërisht kundër një klubi si Struga, një ekip stabil, që prej vitesh është në majat e futbollit vendor. Por, sigurisht, ne jemi Shkëndija dhe nuk udhëtojmë drejt Strugës vetëm si turistë. Shkojmë atje për të luajtur futboll, për të dhënë maksimumin dhe, pas një periudhe intensive përgatitore, për ta parë edhe veten në fushë dhe rezultatet e punës që kemi bërë,“ tha në fund Besir Demiri.
Përballja në mes Struga Trim Lum dhe Shkëndijës së Haraçinës do të zhvillohet në stadiumin e qytetit të Strugës, më fillim në orën 17.00.





