Struga Trim Lum e hap sezonin e ri në shtëpi dhe sot (ora 17:00) pret ekipin e ri të Ligës së Parë Shkëndijën nga Haraçina. Kapiteni i Strugës, Bunjamin Shabani, pret që ekipi i tij të fillojë me triumf dhe tri pikë, por thekson se kundërshtari meriton respekt maksimal.
"Ndeshja kundër Shkendijës së Haraçinës është shumë e rëndësishme për ne, sepse është fillimi i kampionatit të ri. Ne punuam shumë në periudhën përgatitore dhe besoj se jemi plotësisht të përgatitur për fillimin e sezonit. Edhe pse ky sezon do të jetë hera e tyre e parë që luajnë në Ligën e Parë, ata ishin shumë aktivë në tregun e transferimeve dhe sollën disa lojtarë cilësorë. Ky është një ekip që meriton respekt. I analizuam mirë dhe duhet të japim maksimumin nëse duam ta nisim kampionatin ashtu siç duam", tha Bunjamin Shabani.
Shabani pritet të luajë ndeshjen e tij të 200-të me fanellën e klubit të Strugës, në të gjitha garat.
Shabani është lojtari me më shumë kohë në Struga Trim Lum. Lojtari me origjinë nga Kumanova do të fillojë sezonin e tij të shtatë radhazi me klubin, duke e bërë atë lojtarin më besnik dhe lojtarin me më shumë paraqitje në historinë e ekipit.
"Mund të them se ky është një nder i madh dhe një ndjenjë që është e vështirë të përshkruhet me fjalë. Nuk është e lehtë të hysh në historinë e një klubi, por ja ku po më ndodh mua. Kjo tregon se sa i rëndësishëm është besimi, besnikëria dhe respekti i ndërsjellë që kemi. Sinqerisht, ndihem si në shtëpi në Strugë dhe shpresoj se do ta festojmë këtë përvjetor me një fitore në ndeshjen e sotme", tha Shabani.





