Destani: Me përkushtim maksimal mund të dalim fitues

Ekipi i Shkupit ishte në prag të fitimit të pikës së parë të sezonit kundër AP Brerës në transfertë, por një gol i pësuar në sekondat e fundit shkatërroi shpresat e skuadrës nga Çairi. Tani Shkupi ka një sfidë të re dhe në raundin e 6-të do të përballet me ekipin e Tikveshit, i cili nuk është në formë të mirë, por ka avantazhin e fushës. Sulmuesi Ardit Destani beson se ekipi është në rrugën e duhur dhe se suksesi do të vijë me kalimin e kohës.

"Si për çdo ndeshje tjetër, përgatitjet tona ishin maksimale, dhe qëllimi mbetet i njëjtë, të fitojmë tri pikë. Do të japim maksimumin, duke shpresuar që përpjekjet tona të shpërblehen dhe të kthehemi në Shkup me një rezultat pozitiv. Shkojmë në Kavadar për të siguruar tre pikë shumë të rëndësishme për ekipin dhe për të rritur motivimin në radhët tona."

Ardit Destani beson se vetëm nëpërmjet punës në grup dhe përkushtimit mund të arrihet një qëllim i përbashkët.

"Detyra e çdo sulmuesi, qoftë qendror apo anësor, është të shënojë një gol. Shënova një gol kundër Vardarit dhe shpresoj të jem golashënues edhe kundër Tikveshit. Megjithatë, duhet të punojmë si ekip, sepse në fund gjëja më e rëndësishme është një rezultat pozitiv, jo statistikat personale. Ekipi ynë është relativisht i ri, por e analizuam mirë Tikveshin dhe besojmë se me përkushtim maksimal mund të dalim fitues."

Ndeshja e javës së 6-të mes Tikveshit dhe Shkupit do të luhet të mërkurën (16.09.2025) në stadiumin e qytetit në Kavadar, në orën 15:30.