Përfaqësuesja A e Maqedonisë vazhdon përgatitjet për ndeshjet miqësore kundër Bosnjës dhe Hercegovinës në Sarajevë dhe Turqisë në Stamboll. Elif Elmas theksomn se cikli i ri, ndryshimet në ekip dhe trajneri i ri, kërkojnë përqendrim të plotë në lojën e tyre dhe në krijimin e një stili të dallueshëm në fushë.
"Kemi një trajner të ri, ky është takimi i dytë dhe ka lojtarë të rinj. Gjëja më e rëndësishme është të përqendrohemi te vetja dhe te ajo që duhet të ndërtojmë si ekip kombëtar para ndeshjeve të shtatorit. Na presin kundërshtarë të fortë dhe duhet të përgatitemi sa më shumë që të jetë e mundur", tha Elmas.
Reprezentuesi i Maqedonisë beson se skuadra duhet të luajë më hapur dhe në mënyrë ofensive, por edhe të ruajë kompaktësinë kur është e nevojshme.
"Pres që të luajmë më shumë në mënyrë ofensive, sepse nëse nuk sulmon, nuk mund të fitosh. Futbolli kërkon ekuilibër, ndonjëherë të gjithë duhet të mbrohemi dhe ndonjëherë të gjithë duhet të sulmojmë. Do të jetë e rëndësishme se si do t'i kryejmë detyrat që marrim nga trajneri."
Elmasi foli edhe për mungesën e kapitenit Enis Bardhi, duke theksuar se prania e tij ka gjithmonë rëndësi të madhe për ekipin.
"Enisi është shumë i rëndësishëm për ne, si kapiten dhe si person në dhomën e zhveshjes. Ai do të na mungojë në këto ndeshje, sepse edhe kur nuk luan, i ndihmon shumë të gjithëve."
Ai shtoi se këto ndeshje do të jenë një mundësi e mirë për lojtarët e rinj që të integrohen në ekipin kombëtar.
"Ne gjithmonë i mirëpresim lojtarët e rinj pozitivisht, pavarësisht se nga vijnë. Kur luajnë për Maqedoninë, të gjithë japin maksimumin. Detyra jonë është t'i ndihmojmë ata të përshtaten më shpejt dhe të krijojmë një atmosferë të mirë siç ishte më parë", tha Elmas.




