Fetai: Në duhen 3 pikë ndaj Skopjes për fillim të mbarë të sezonit

Pas sfidës së parë me Bravo-n në Slloveni, nënkampionia e Ligës së Parë, Shkëndija e Tetovës, të dielën përballet me Skopjen si vendas, për të konfirmuar ambiciet për titullin kampion.

“Po normal, sezon i ri, kampionat i ri. Ambiciet normal janë të njëjta, shkojmë për kampion dhe ta fillojmë mbarë, ta fillojmë siç duhet. Do të shkojmë të japim maksimumin dhe ta fitojmë ndeshjen,” tha në fillim Imran Fetai.

Pas ndeshjes së pare evropiane, skuadra tetovare në fokus ka përballjen me Skopjen në raundin e parë të futbollit vendor.

“Ndeshjen me Bravon e kemi lënë momentalisht anash. Tani gjithë fokusi ynë është te Skopje. Pas ndeshjes me Skopjen, pastaj mendojmë sërish për Bravon,” potencoi Fetai.

Ai beson se ekipi tetovar dëshiron fillim të mbarë të sezonit dhe 3 pikë ndaj Skopje.

“Normal, çdo ndeshje ka rëndësinë e vet. Siç the edhe vetë, një fillim i mbarë është gjysma e punës. Ne e kemi parasysh këtë dhe shkojmë 100% për ta fituar ndeshjen,” tha në fund Imran Fetai.

Përballja e xhiros së parë në kampionatin e ri ndërmjet Shkëndijës dhe Skopjes do të luhet të dielën në kompleksin e FFM-së në Shkup, me fillim në orën 19:00.