FFM mbështet qëndrimin e përbashkët të UEFA-s: Kupa e Botës nuk është në shitje

Një qëndrim i përbashkët i familjes evropiane të futbollit

UEFA dhe 55 anëtare të saj kombëtare, qëndrojnë të bashkuara. Unanimisht e hedhim poshtë propozimin e FIFA-s për të transferuar aksionet e pronësisë në Kupën e Botës dhe garat e tjera të FIFA-s tek investitorët privatë.

Kupa e Botës është një trashëgimi, jo një produkt investimi

Kupa e Botës nuk duhet të trajtohet si një produkt investimi. Ai përfaqëson një nga trashëgimitë më të mëdha të futbollit botëror, të krijuar ndër breza nga lojtarë, ekipe kombëtare dhe tifozë nga të gjitha kontinentet. Asnjë pjesë e tij nuk duhet t'u jipet investitorëve privatë.

Kupa e Botës nuk është në shitje.

Shqetësime në lidhje me procesin e vendimmarrjes

Është e papërgjegjshme dhe e pajustifikueshme që një propozim me një rëndësi kaq të madhe për futbollin botëror të përgatitet në fshehtësi dhe të sillet pothuajse në fazën e miratimit pa konsultime thelbësore me ata që janë të ngarkuar me kujdesin për të ardhmen e lojës.

Kjo përfaqëson jo vetëm një dështim serioz të lidershipit, por edhe një heqje dorë nga detyrimi i FIFA-s si mbrojtëse e futbollit botëror.

Shoqatat kombëtare në të gjithë botën tani përballen me një zgjedhje: të pranojnë transferimin e pakthyeshëm të të drejtave të pronësisë në garat më të rëndësishme të futbollit ose të vuajnë pasojat. Kjo nuk është vendimmarrje demokratike, por menaxhim me presion, një praktikë e padenjë për një institucion të ngarkuar me udhëheqjen e futbollit botëror.

Futbolli nuk duhet të drejtohet nga interesat e investitorëve

Kundërshtimi ynë nuk vlen vetëm për mënyrën se si u miratua ky propozim.

Në momentin që investitorët e jashtëm fitojnë aksione pronësie në garat e FIFA-s, futbolli do të ndryshojë në mënyrë të pakthyeshme. Interesi komercial do të bëhet një detyrim i përhershëm dhe pritjet e investitorëve një faktor i vazhdueshëm në procesin e vendimmarrjes.

Që nga ai moment, vendimet në lidhje me kalendarin ndërkombëtar, formatet e garave dhe zhvillimin e ardhshëm të futbollit nuk do të merren më në bazë të interesave të lojës, por në bazë të interesave të aksionarëve.

Nuk ka vend për një model të tillë në futbollin botëror. E ardhmja e futbollit nuk duhet të diktohet nga ata, qëllimi kryesor i të cilëve është maksimizimi i fitimeve financiare. Interesat e shoqatave kombëtare, ligave, klubeve, lojtarëve dhe tifozëve nuk duhet t'i nënshtrohen interesave të investitorëve.

Futbolli nuk duhet ta vërë në rrezik të ardhmen e tij me përfitime financiare.

Qëndrimi i Evropës

Qëndrimi i Evropës është i qartë. Ne kurrë nuk do t'i japim legjitimitet një modeli të tillë. Askush nuk ka të drejtë morale të shesë diçka që i është besuar për ta ruajtur për brezat e ardhshëm.

Si rezultat i diskutimit të sotëm, asnjë ekip kombëtar nga një shoqatë anëtare e UEFA-s nuk do të marrë pjesë në garat e FIFA-s për sa kohë që këto propozime mbeten aktive, përveç nëse ato tërhiqen plotësisht dhe jepen garanci ligjërisht të detyrueshme se FIFA nuk do ta hapë më kurrë qeverisjen ose garat e saj për pronësi private.

Askush nuk duhet të ketë dyshime: UEFA dhe shoqatat e saj kombëtare do t'i kundërshtojnë këto plane me vendosmëri të plotë.

Ka raste kur institucionet gjykohen jo nga ajo që janë të gatshme të pranojnë, por nga ajo për të cilën refuzojnë të bëjnë kompromis. Kjo është një nga ato raste.

Ka vlera që nuk mund të shiten. Kupa e Botës e FIFA-s i përket futbollit. Gjithmonë ka qenë kështu dhe do të mbetet kështu. Dhe për sa kohë që Evropa ka zërin e saj, Kupa e Botës nuk do të jetë kurrë në shitje.