Pollozhani: Jam i kënaqur me pikët, por jo me ritmin me të cilin luajti Shkëndija

Shkëndija e përfundoi xhiron e parë të sezonit të ri në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë me një fitore 3-0 ndaj KF Skopje. Golat për skuadrën tetovare i shënuan: Fad Nzengue, Fabris Tamba dhe Rafa Silva.

Trajneri i Shkëndijës, Artim Pollozhani, thotë se është i kënaqur me triumfin, por jo me ritmin me të cilin skuadra e tij e luajti ndeshjen.

"Jam i kënaqur me rezultatin, por jo me lojën që luajtëm. Duhet të luajmë me një ritëm më të lartë. Jam i vetëdijshëm se kjo është raundi i parë i kampionatit vendas, por kur të shkojmë në Evropë, na presin sfida krejtësisht të ndryshme. Ekipi i KF Skopje u mbrojt mirë gjatë pjesës më të madhe të ndeshjes, gjëja më e rëndësishme nga kjo ndeshje janë sigurisht tri pikët", tha Artim Pollozhani.

Trajneri i ri i KF Skopje, Muarem Muarem, theksoi se skuadra e tij duhet ende të kompletohet dhe të përgatitet për sfidat në Ligën e Parë.

"E dinim se kundër çfarë kundërshtari do të luanim dhe u përpoqëm të kundërsulmonim. Bëmë gabime që Shkëndija dinte t'i shfrytëzonte. Do të përpiqemi të kompletojmë veten dhe të përgatitemi për ndeshjet e ardhshme në Ligën e Parë", tha Muarem Muarem.