Goce Sedloski zyrtarisht u emërua trajner i ri i përfaqësuses "A" të Maqedonisë

Federata e Futbollit e Maqedonisë në takimin me gazetarët promovoi edhe zyrtarisht trajneri e ri të përfaqësueses "A" të Maqedonisë, Goce Sedloski.

Presidenti i FFM-së, Masar Omeragiç, shpjegoi vendimin për të zgjedhur Sedloskin si trajnerin e ri, duke vënë në dukje se FFM beson në nevojën për energji dhe qasje të re përballë sfidave kryesore që e presin përfaqësuesen e Maqedonisë.

"Dua ta falënderoj publikisht Blagoja Milevskin për gjithçka që ka bërë dhe për rezultatet që ka arritur. Ndryshimet janë pjesë integrale e futbollit dhe kemi arritur në përfundimin se ekipi kombëtar ka nevojë për energji të re për të luftuar për një vend në Kupën e Botës. Pjesëmarrja në play-off është një sukses, por ne besojmë se mund të bëjmë më shumë. Ne po kërkonim një trajner me karakter 'luftëtari' dhe e gjetëm atë te Goce Sedloski. Ne besojmë në këtë vendim dhe te lojtarët tanë. Asgjë nuk ka mbaruar dhe nuk do të shkojmë në ndeshje vetëm për të marrë pjesë", tha Omeragiç.

Mbështetje për përzgjedhjen e trajnerit të ri shprehu edhe Goran Pandev, ish-lojtar i përfaqësueses dhe drejtor i ekipeve të përfaqësueses së Maqedonisë, i cili theksoi se Sedloski është personi i duhur për pozicionin e trajnerit.

"E përgëzoj Goce Sedloskin për emërimin e tij dhe e falënderoj Blagoja Milevskin për gjithçka që ka bërë për futbollin në Maqedoni. E njoh Sedloskin prej shumë vitesh, si shok skuadre dhe si njeri me karakter të fortë. Besoj se ai është zgjedhja e duhur për trajner të ekipit kombëtar. Ai është një trajner i ri dhe premtues me përvojë, i cili mund ta ngrejë nivelin e ekipit kombëtar. Unë besoj tek ai dhe i uroj shumë suksese", tha Pandev.

Goce Sedloski, një legjendë e futbollit në Maqedoni me 100 paraqitje për përfaqësuesen e Maqedonisë, do të përballet me sfidën më të madhe të karrierës së tij si trajner. Kjo do të jetë periudha e tij e dytë si trajner dhe e para si trajner kryesor i përfaqësueses "A" të Maqedonisë.

"Ky është një nder i madh për mua, por edhe përgjegjësia më e madhe në karrierën time. Jam i vetëdijshëm për pritjet dhe potencialin që ka kjo kombëtare. Do të punojmë për të ndërtuar një sistem dhe një ekip që do të luftojë për çdo top dhe do të japë më të mirën në çdo ndeshje. Do të kërkoj përkushtim, guxim dhe dëshirë nga çdo lojtar. Besoj në cilësinë e lojtarëve dhe në mbështetjen e FFM-së dhe ekipit tim më të ngushtë të bashkëpunëtorëve. Së bashku do të përpiqemi të arrijmë sukses dhe ta përfaqësojmë denjësisht Maqedoninë", tha Sedloski.

Sedloski do të debutojë në stolin e Maqedonisë në muajin mars, kur do të përballet me Danimarkën në Play Off-in e Kupës së Botës 2026.