IN MEMORIAM: Ka ndërruar jetë Tomçe Filipovski

Në moshën 84-vjeçare ndërroi jetë një nga emrat më të shquar të futbollit maqedonas në histori, legjenda e Rabotniçkit të Shkupit, Tomçe Filipovski.

Me emrin e tij lidhen suksese të shumta të klubit të njohur nga Debar Maallo. Filipovski e veshi fanellën e Rabotniçkit për plot 18 vjet, periudhë gjatë së cilës zhvilloi 633 ndeshje dhe shënoi 225 gola. Në sezonin 1971/72 ishte golashënuesi më i mirë i Ligës së Dytë Jugosllave.

Pavarësisht ofertave të shumta për të ndryshuar klub, përfshirë edhe një ofertë nga Vardari, Filipovski mbeti besnik ndaj Rabotniçkit deri në fund të karrierës së tij si lojtar. Emri i tij do të mbetet përgjithmonë i shkruar me shkronja të arta në historinë e klubit të Shkupit.

Pas përfundimit të karrierës si lojtar, Tomçe Filipovski vazhdoi të kontribuonte aktivisht në zhvillimin e futbollit, si punëtor dhe drejtues i shquar sportiv. Nga viti 1987 deri në vitin 1991 ishte president i Federatës së Futbollit të Jugosllavisë, një periudhë e mbushur me suksese të rëndësishme të futbollit jugosllav.

Nën drejtimin e tij, përfaqësuesja e futbollit e Jugosllavisë mori pjesë në Lojërat Olimpike në Seul në vitin 1988, ndërsa në Kupën e Botës në Itali në vitin 1990 zuri vendin e pestë.

Me ndarjen nga jeta të Tomçe Filipovskit, futbolli maqedonas dhe ai i Shkupit humbën një legjendë të madhe, një njeri që ia kushtoi tërë jetën futbollit.

Federata e Futbollit të Maqedonisë i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes, miqve, bashkëpunëtorëve të futbollit dhe të gjithë atyre që e njihnin dhe e respektonin.

Varrimi i Tomçe Filipovskit do të bëhet nesër në Varrezat e Qytetit Butel në Shkup, nga ora 11:30 deri në 12:30, në kapelën në Butel.

U prehtë në paqe.