Jusufi: Jemi të fokusuar dhe të motivuar për fitoren e radhës para tifozëve tanë

Fatjon Jusufi shprehu kënaqësi të madhe pas fitores së ngushtë të Arsimit në Shkup kundër Makedonija Gj.P. , ku shënoi golin e vetëm të ndeshjes, por theksoi se fokusi i ekipit tani është drejtuar plotësisht drejt sfidës së re për Gostivarin, që është dueli i sotëm me Pelisterin.

"Fitorja në Shkup ishte shumë e rëndësishme për ne, si për shkak të pikëve të fituara, ashtu edhe për shkak të besimit që na dha si ekip. Jam i lumtur që ndihmova me një gol, por mbi të gjitha dua të theksoj përkushtimin dhe disiplinën e të gjithë ekipit", tha Jusufi.

Duke folur për ndeshjen e sotme kundër Pelisterit, mesfushori theksoi se Arsimi hyn i motivuar maksimalisht për të vazhduar serinë pozitive.

"Presim një ndeshje të vështirë, por po luajmë në shtëpi dhe para tifozëve tanë. Ky është një motiv shtesë për të dhënë më të mirën tonë. Jemi përgatitur mirë gjatë javës dhe atmosfera në ekip është shumë pozitive", shtoi ai.

Sipas Jusufit, çelësi i suksesit do të jetë përqendrimi dhe loja kolektive.

"Duhet të jemi të kujdesshëm nga minuta e parë deri në minutën e fundit, të luajmë si ekip dhe të shfrytëzojmë mbështetjen e publikut. Qëllimi ynë është i qartë, të arrijmë një rezultat pozitiv dhe të vazhdojmë udhëtimin tonë me qetësi dhe besim", përfundoi Jusufi.

Ndeshja e javësi së 27-të midis Arsimit dhe Pelisterit do të luhet sot në orën 13:00 në stadiumin e qytetit në Gostivar.