Pelisteri dëshiron fitoren e parë kundër Arsimit

Ndeshja e parafundit e javës së 27-të të LPFM-së po luhet në Gostivar, ku lojtarët e Arsimit dhe Pelisterit do të garojnë duke filluar nga ora 13:00.

Dy takimet e para midis këtyre dy ekipeve sollën gjithsej 10 gola. Në rastin e parë, Arsimi shënoi fitore si mysafir me 0:4, dhe në të dytin ishte barazim, 3:3, por të dyja ndeshjet u zhvilluan ara pushimeve dimërore.

Në ndeshjet e fundit, Pelisteri shënoi fitore ndaj Shkëndijës, dhe luajti baraz me Vardarin, ndërsa Arsimi në katër javët e fundit luajti gjithashtu me dy ekipet kryesuese dhe humbi ndaj Shkendijës me 1:0, dhe mundi Vardarin me një rezultat identik. Ekipi vendas ka edhe një fitore ndaj Makedonija Gj.P, prandaj ata tashmë kanë njoftuar se duan të ruajnë serinë pozitive.

Një dëshirë të ngjashme ndan edhe portieri i KF Pelister, Andrej Jovçevski, i cili ka qenë i shkëlqyer në ndeshjet e fundit, gjë që ishte baza për rezultatet e mira me Shkendijën dhe Vardarin.

"Kjo ndeshje është e rëndësishme edhe për ne, sepse duam të vazhdojmë serinë e rezultateve pozitive. Pozicioni ynë në tabelë tregon se na duhet çdo pikë, prandaj duhet të japim maksimumin dhe të përfundojmë detyrat që na janë caktuar", tha portieri i ri.

Trajneri i ekipit nga Manastiri, Marjan Sekulovski, kujton se Arsimi është një ekip që duhet respektuar dhe se Pelisteri nuk është favorit.

"Në asnjë rast nuk do të pajtohesha që Pelisteri të shkojë në Gostivar si favorit. Së pari, ne e respektojmë Arsimin, i cili ka një listë lojtarësh me përvojë që kanë luajtur në disa klube të LPFM-së si: Renova, Shkupi dhe të tjera, si dhe disa lojtarë të huaj që e rrisin cilësinë e ekipit. Nga ana tjetër, unë nuk i nënvlerësoj lojtarët e mi, kështu që do të thoja se balanca e fuqisë mund të jetë 50:50, si në shumë ndeshje të tjera që gjithashtu filluan me 0:0 dhe me 11 lojtarë në të dyja anët. Pres një ndeshje të fortë dhe konkurruese, dhe detajet ndoshta do të vendosin fituesin. Në çdo ndeshje, ne përpiqemi të neutralizojmë anët e rrezikshme të kundërshtarit, si dhe të shfrytëzojmë rastet tona që lindin", tha Sekulovski, për të cilin kjo do të jetë ndeshja e tretë në stolin e klubit të Manastirit.

Më parë, Pelisteri nuk kishte fituar tre pikë në Gostivar, përveç kur të dy ekipet luanin si anëtare të Ligës së Dytë të Futbollit të Maqedonisë.