Përfaqësuesja e Maqedonisë U-18 ishte në mini-përgatitje në Strumicë gjatë ditëve të fundit, ku ka zhvilluar dy ndeshje miqësore kundër ekipit kombëtar të Malit të Zi.
Ekipi i udhëhequr nga trajneri Dimitar Kapinkovski regjistroi fitore 2:1 në të dyja ndeshjet dhe njoftoi se vitin e ardhshëm mund të presim lajme të mira nga turneu kualifikues për Kampionatin Evropian.
"I përdorëm këto ndeshje për të përgatitur ekipin sepse vitin tjetër na presin kualifikimet për Kampionatin Evropian. Për ndeshjet kundër Malit të Zi, llogarita në 25 lojtarë dhe të gjithë morën një shans, gjë që për mua dhe stafin e trajnerëve ishte një mundësi e shkëlqyer për të parë se çfarë potenciali kemi dhe çfarë duhet t'i kushtojmë vëmendje të veçantë në mënyrë që të mund të përparojmë në ndeshjet e ardhshme", tha trajneri Dimitar Kapinkovski.

Drejtuesi i Maqedonisë U-18 është i kënaqur me angazhimin e lojtarëve gjatë seancave stërvitore në Strumicë, dhe këtë e konfirmojnë dy fitoret e regjistruara në ndeshjet e luajtura në fushën e kompleksit Goran Pandev.
"Të gjithë lojtarët e shfrytëzuan në maksimum mundësinë për t'u stërvitur së bashku në këto pak ditë. Jam i kënaqur me përkushtimin e tyre në stërvitje, por edhe me angazhimin e tyre në fushë, si dhe me përmbushjen e të gjitha detyrave që iu dhanë para fillimit të ndeshjeve. Besoj se kjo gjeneratë ka potencial të madh, dhe nëse vazhdojnë të punojnë me këtë intensitet në të ardhmen, por edhe me mbështetjen e klubeve, mund të priten rezultate të mira", vazhdoi udhëheqësi i Maqedonisë U-18.

Kjo gjeneratë përballet me një turne të fortë kualifikues në fillim të vitit të ardhshëm, i cili do të jetë një sfidë e madhe për këtë gjeneratë të talentuar.
"Jemi të përqendruar plotësisht në kualifikueset që do të zhvillohen në mars të vitit të ardhshëm. Përveç Holandës pritëse, kundërshtarët tanë janë Ishujt Faroe dhe Moldavia. Para turneut, do të përpiqemi të organizojmë një takim tjetër dhe të luajmë një ndeshje tjetër testuese, e cila do të shërbejë si një përgatitje më e mirë për sfidën kryesore që na pret në mars", përfundoi Kapinkovski.





