Milevski dhe Bardhi: Fitorja është objektivi ynë i vetëm kundër Lihtenshtejnit

Përfaqësuesja "A" e Maqedonisë do të mirëpresë Lihtenshtejnin të dielën, në orën 18:00, në Arenën "Todor Proevski" në Shkup, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës të vitit 2026. Përfaqësuesja e Maqedonisë do të përpiqet që të arrijë tjetër fitore në shtëpi, në këtë cikël eliminator, pas barazimeve me Uellsin dhe Belgjikën.

Në konferencën zyrtare për media , trajneri Blagoja Milevski theksoi se Maqedonia është favorite në letër, por paralajmëroi se këtë duhet të dëshmojë edhe në fushë.

"Të gjithë lojtarët janë shëndosh e mirë dhe të gatshëm për lojë. Ne kemi respekt maksimal për Lihtenshtejnin dhe nuk do të jetë aspak e lehtë. Për sa kohë që unë jam trajner, nuk do të nënvlerësoj kurrë asnjë kundërshtar. Qëllimi ynë është i qartë, tre pikë të cilat janë jashtëzakonisht të rëndësishme për momentin. Jam i kënaqur me performancën e lojtarëve që debutuan kundër Arabisë Saudite. Luka Stankovski, Elmin Rastoder dhe Reshat Ramadani treguan se kanë cilësi dhe sigurisht që ne llogarisim tek ata në ndeshjet për pikë", tha Milevski.

Kapiteni Enis Bardhi, gjithashtu iu drejtua mediave.

"Mendoj se do të kemi një ndeshje të vështirë, njëjtë ishte edhe në Vaduz derisa shënuam. Jemi të gjithë të vetëdijshëm për atë që na pret, kemi bërë një analizë dhe e dimë se çfarë duhet të përmirësojmë. Jemi të përgatitur për ndeshjen dhe tre pikët mund të kenë shumë rëndësi për ne për ta mbyllur këtë dritare në vendin e parë. Sa herë që luajmë për Maqedoninë, nuk nevojitet motiv, fitorja është qëllimi ynë i vetëm."

Pas ndeshjes si mysafirë në Vaduz, ku Maqedonia shënoi fitore me 0:3, kjo do të jetë ndeshja e dytë kundër Lihtenshtejnit në grup. Në kohë të njëjtë për Maqedoninë do të jetë një mundësi për të kënaqur tifozët vendas me 3 pikë të reja.