Nikolçe Noveski tani është pjesë e ekipit të FFM-së

Nikolçe Noveski, ish-lojtari i përfaqësueses së Maqedonisë dhe kapiteni disavjeçar i klubit gjerman Mainz, bëhet pjesë e ekipit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë.

Noveski është emëruar drejtues i Shërbimit për Zbulim të talenteve të reja, i ngarkuar me koordinimin dhe zhvillimin e strategjisë për monitorimin dhe identifikimin e talenteve të reja me origjinë nga Maqedonia në të gjithë Evropën dhe botën. Ky aktivitet është pjesë e prioriteteve të reja të FFM-së, me qëllim të zgjerimit të bazës së futbollistëve për të gjitha ekipet kombëtare dhe për të hapur hapësirë edhe më të madhe për të ardhmen e futbollit te përfaqësuesja e Maqedonisë.

Nikolce Noveski, i cili ka 64 paraqitje për përfaqësuesen e Maqedonisë, do të jetë në koordinim me Goran Pandevin, Gjorgi Hristovin dhe Agim Ibraimin në monitorimin e lojtarëve, si dhe në organizimin e ndeshjeve testuese jashtë Maqedonisë, ku lojtarët e rinj do të kenë mundësinë të dëshmojnë veten.

"Jam i lumtur që bëhem pjesë e ekipit të FFM-së dhe që kam mundësinë të kontribuoj në zhvillimin e futbollit në Maqedoni. Besoj se me përvojën time dhe karrierën time të gjatë në Bundesligë, së bashku me ekipin në Federatë, do të ndërtojmë një sistem të fortë vëzhgimi që do t'i mundësojë çdo futbollisti të talentuar me origjinë nga Maqedonia të ketë një shans për të provuar veten. Qëllimi ynë është të krijojmë kushte për përparim dhe që të kemi përfaqësuese edhe më të forta në të ardhmen."

Masar Omeragic – President i Federatës së Futbollit të Maqedonisë:

"Nikolce Noveski është një emër që mbahet mend në Maqedoni dhe në Bundesligën gjermane për karakterin dhe performancat e tij. Është kënaqësi që një profesionist i tillë ka pranuar të jetë pjesë e ekipit tonë, së bashku me Pandevin, Hristovin dhe Ibraimin. Besoj se me përvojën, autoritetin dhe njohuritë e tij do të ndërtojmë një sistem që do të sjellë emra të rinj në ekipet tona kombëtare. Misioni ynë është i qartë, që asnjë talent futbolli me origjinë maqedonase të mos kalojë pa u vënë re. Ky është një hap i fortë përpara në modernizimin dhe profesionalizimin e punës sonë."