Nga një gol dhe nga një pikë për Tikveshin dhe Arsimin në duelin e zhvilluar në Kavadar.

Skuadrat e Tikveshit dhe Arsimit i ndanë pikët në ndeshjen e javës së 30‑të të kampionatit të futbollit. Edhe pse skuadra vendase pjesën më të madhe të ndeshjes luajti me një lojtar më pak, në fund arriti të fitojë një pikë të rëndësishme. Pjesa e parë nuk ofroi lojë shumë atraktive, por u shënuan dy gola, ndërsa në pjesën e dytë Arsimi e diktoi ritmin e lojës, por pa realizim.

Rastin e parë më serioz për Arsimin e pamë pas 13 minutave lojë, kur Ramadani u përpoq me një goditje, por pa ndonjë rrezik më të madh për portën e vendasve.

Momenti kyç i ndeshjes ndodhi në minutën e 18‑të, kur Kamara ndërhyri pa kujdes me këmbë të ngritur lart në momentin kur Gafuri po përpiqej të luante me kokë. Gjyqtari kryesor fillimisht tregoi karton të verdhë, por pas rishikimit me VAR, vendimi u ndryshua në karton të kuq direkt, pas së cilës Tikveshi mbeti me dhjetë lojtarë.

Pavarësisht kësaj, Tikveshi kaloi në epërsi në minutën e 24‑të, pas një goditjeje të lirë, Besir Ramadani u orientua më së miri në zonën e rreptësisë dhe me një goditje me kokë e hapi rezultatin.

Megjithatë, Arsimi u përgjigj shpejt dhe barazoi rezultatin. Topi i harkuar nga Ramadani nga krahu i djathtë e gjeti spanjollin Goni në vrap, i cili me një goditje të saktë sjell barazimin.

Në minutën e 37‑të, Arsimi humbi një rast njëqindpërqindësh për epërsi. Stojanovski doli i vetëm përballë portierit kundërshtar, por Siljanovski ndërhyri në mënyrë të shkëlqyer dhe e parandaloi golin. Pjesa e parë përfundoi me rezultat 1:1.

Në fillim të pjesës së dytë, Bashkim Velija u provua me një goditje të fortë, por shtylla shpëtoi portën e vendasve. Arsimi vazhdoi me iniciativën, ndërsa në minutën e 55‑të Ramadani pati edhe një rast tjetër të mirë, por portieri vendas sërish ishte në lartësinë e detyrës.

Në vetë fundin e ndeshjes, Avduli pati një rast nga goditja e lirë, por tentativa e tij nuk ishte e saktë. Deri në fund rezultati nuk ndryshoi dhe ndeshja përfundoi pa fitues 1‑1.