Rabotniçki nuk ka zgjidhje tjetër, duhet ta mposhtë Pelisterin

Rabotniçki luan sot një nga ndeshjet vendimtare në betejën për mbijetesë. Pas humbjes kundër Makedonija Gj.P. në Gjorçe Petrov, skuadra e Muarem Muaremit përballet me një sfidë të madhe, sepse gjendja e tabelës do të thotë se thjesht duhet ta mposhtë Pelisterin në duelin e sotëm nga raundi i 30-të në Ligën e Parë, nëse dëshiron të vazhdojë të shpresojë për të qëndruar në elitë.

Ekipi do të jetë nën presion të madh psikologjik, por edhe i motivuar maksimalisht për të arritur qëllimin.

"Nuk kemi zgjidhje tjetër, sigurisht që po mendojmë vetëm për fitoren. Unë besoj në cilësitë e lojtarëve të mi dhe do të bëjmë gjithçka për të marrë tre pikët. Pelisteri është një ekip cilësor, i cili po lufton edhe për mbijetesë, dhe kjo do të jetë një ndeshje e fortë. Por ne thjesht do të dalim në fushë dhe do të bëjmë çmos për të arritur qëllimin", tha trajneri i Rabotniçkit, Muarem Muarem.

Ndeshja midis Rabotniçkit dhe Pelisterit do të luhet në stadiumin “Todor Proeski” duke filluar nga ora 16:00.