Një spektakël i vërtetë futbolli në Kumanovë. Ekipet e Bashkimit dhe Vardarit i ndanë pikët në një ndeshje të mbushur me shumë përmbysje dhe plot gjashtë gola.
Vendasit e nisën më mirë ndeshjen dhe që në fillim krijuan presion serioz. Luis Ribeiro kërcënoi rrezikshëm portën e Vardarit në dy raste, por portieri Taleski ishte në lartësinë e detyrës dhe nuk lejoi surpriza. Megjithatë, në tentativën e tretë, Bashkimi e arriti epërsinë e dëshiruar — pas një korneje të ekzekutuar shkëlqyeshëm, Fati Ismaili u ngrit më lart se të gjithë dhe me një goditje precize me kokë shënoi për 1-0. Pak më vonë, Maimona pati një mundësi të shkëlqyer për golin e dytë, por Taleski, me një ndërhyrje të sigurt, sërish i shpëtoi mysafirët.

Në anën tjetër, Vardari u përpoq të kundërpërgjigjej kur Omeragiqi e kontrolloi bukur topin dhe pasoi te Spahiu, goditja e të cilit përfundoi mbi traversë. Ndëshkimi erdhi në minutën e 32-të. Pas një kundërsulmi të shpejtë, Rashidi e anashkaloi me mjeshtëri Taleskin, i cili kishte dalë nga porta, dhe përmes këmbëve të Najdovskit e dërgoi topin në rrjetë për 2-0 të thellë. Megjithatë, mysafirët arritën të riktheheshin shpejt në lojë para pushimit: në minutën e 38-të, Jankullovi depërtoi dhe harkoi, ndërsa topi i dëbuar nga mbrojtja vendase arriti te Babunski, i cili me gjakftohtësi shënoi në këndin e pambrojtur për 2-1.

Pjesa e dytë nisi me presion të fortë të Vardarit, ndërsa Babunski i pari e nisi serinë e kërcënimeve me një goditje të fuqishme nga distanca. Bashkimi mund ta rikthente epërsinë e dyfishtë në minutën e 66-të, por goditja e Ristovskit u ndal nga Taleski në formë të shkëlqyer. Ky ishte paralajmërimi i përmbysjes së madhe dhe, për vetëm dy minuta, Vardari e tronditi vendasit. Zakariqi u bë heroi i kuqezinjve me dy gola të shpejtë në minutat 70 dhe 72 (2-3).
Një dramë e vërtetë pasoi në minutat e fundit. Në minutën e 77-të, Spahiu nuk arriti ta shfrytëzonte rastin kolosal kur doli i vetëm përballë portierit vendas.

Në minutën e 86-të, i palodhuri Rashid depërtoi shkëlqyeshëm në krahun e djathtë dhe asistoi në zonë, ku Sajti ishte në kohën dhe vendin e duhur dhe shënoi për 3-3 përfundimtar.
Deri në fund të ndeshjes nuk pati ndryshime të reja në rezultat, ndaj të dyja skuadrat u desh të kënaqeshin me nga një pikë. Në javën e 8-të, Vardarin e pret dueli me Shkëndijën e Araçinovës, ndërsa Bashkimi udhëton në transfertën e vështirë ndaj Shkëndijës në Tetovë





