Bregalnica arriti deri te tri pikët më lehtë se sa pritej në përballjen me Bashkimin, i cili pas katër xhirove në elitën e futbollit vendas, ende nuk ka arritur të shënojë gol. Gligorov me dy gola dhe Kalpacki, sollën tri pikë të reja për Bregalnicën.
"Një fitore shumë e rëndësishme kundër ekipit të Bashkimit, i cili luajti mirë. I përgëzoj lojtarët tanë për fitoren dhe shpresoj që në periudhën e ardhshme të ofrojmë lojëra më të mira dhe të arrijmë rezultatet e dëshiruara", tha Dimitar Maxhunarov, ndihmës trajner te KF Bregalnica.

Nga ana tjetër, trajneri i KF Bashkimit, Suliman Shabani, ishte i kënaqur vetëm me pjesën e parë.
"Jam shumë i kënaqur me pjesën e parë dhe me lojtarët e mi që dhanë gjithçka. Nuk jam i kënaqur me pjesën e dytë, ku lojtarët nuk treguan karakter dhe motivim më të madh. Erdhëm këtu të hendikepuar, pa kapitenin tonë. Kemi kohë për të krijuar ekipin tonë dhe në javët në vijim duhet të na bashkohen edhe dy ose tre lojtarë të tjerë. Siç tha Maxhunarov, e treguam veten në një dritë të mirë, na pret një e ardhme e mirë dhe do të luftojmë për rezultate më të mira."





