Kampioni aktual Shkëndija do të zhvillojë derbin me ish kampionin Stuga Trim Lum. Pritet të jetë një ndeshje mjaftë e fortë në Strugë, për ekipin që ka fituar të pesë ndeshjet nga po aq përballje të zhvilluara në këtë sezon në Ligën e Parë.
Pas një vere të suksesshme evropiane dhe kualifikimit për në grupet e Ligës së Konferencës, skuadra e Tetovës shpreson në një performancë të suksesshme në kampionatin vendas dhe mbrojtjen e titullit në fund të sezonit.
Futbollisti i Shkëndjës, Imran Fetai, thotë se qëllimi i ekipit është të fitojë çdo ndeshje.
"Ekipi duket shumë mirë pas ndeshjes me Bashkimin, e cila nuk ishte aspak e lehtë. Jemi të vetëdijshëm se nuk ka ndeshje të lehta dhe gjithmonë japim maksimumin. Jemi gati në Strugë për të dhënë më të mirën dhe për të fituar. Do të jetë një derbi. E dimë që kundërshtari ynë është në formë të shkëlqyer, por ne jemi Shkendija dhe shkojmë për të fituar në çdo ndeshje, dhe ky qëllim do të na udhëheqë edhe sot. Besoj se do të dalim fitues", tha Fetai.
Lojtari i “kuqezinjve” të Tetovës shpreson në një atmosferë të mirë dhe praninë e një numri të madhë të adhuruesve të futbollit.
"Kjo formë që ka Struga, dhe forma jonë e mirë, si dhe vera e suksesshme në Evropë, besoj se do të jetë motivim i mjaftueshëm për publikun që të vijë në stadiumin e Strugës. Pres gjithashtu mbështetje nga tifozët tanë që na mbështesin gjithmonë. Prandaj besoj se do të jetë një derbi i vërtetë", tha Fetai.





