Shkëndija e Tetovës i shpëtoi humbjes në Gostivar

Shkëndija dhe Arsimi zhvilluan një ndeshje dramatike me shumë emocione në Gostivar, e cila përfundoi pa fitues, 2-2. Ekipi vendas pati rastet e veta në pjesën e dytë për një përmbysje të plotë, ndërsa në fund ishte shumë pranë edhe golit të fitores.

Mysafirët nga Tetova e nisën shkëlqyeshëm ndeshjen dhe kaluan në epërsi në minutën e 18-të, kur Besart Ibraimi realizoi saktë nga gjuajtja e lirë për 0-1. Shkëndija vazhdoi me lojën ofensive dhe vetëm 29 minuta më vonë e dyfishoi epërsinë. Pas krosimit të shkëlqyeshëm të Ibraimit, Meliqi shënoi për 0-2. Shkëndija pati mundësi edhe për golin e tretë, por Ndzengue nuk arriti ta shfrytëzonte rastin ideal.

Arsimi reagoi në fund të pjesës së parë dhe arriti të rikthehej në lojë. Kontreras shënoi për 1-2 dhe u dha shpresë vendasve se në vazhdim mund të arrinin një rezultat pozitiv.

Në pjesën e dytë loja u bë edhe më e hapur, ndërsa të dyja ekipet krijuan raste para portave kundërshtare. Goni rrezikoi me goditje me kokë, por topi përfundoi në shtyllë, ndërsa në minutën e 67-të Krstevski goditi fort, por pa sukses. Arsimi vazhdoi ta kërkonte golin e barazimit dhe në minutën e 80-të arriti ta shënonte. Pas një pasigurie në mbrojtjen e Shkëndijës, Kontreras ishte përsëri në vendin e duhur dhe me golin e tij të dytë barazoi në 2-2.

Në fund, Arsimi ishte shumë pranë edhe përmbysjes së plotë. Dardhishta pati një mundësi të shkëlqyeshme për golin e fitores, por Ramani dhe shtylla e shpëtuan Shkëndijën nga humbja në Gostivar. Deri në vërshëllimën e fundit vendasit sulmuan dhe kërkuan golin e tretë, por Shkëndija arriti të mbrohej dhe të merrte një pikë. Rezultati përfundimtar 2-2 është epilogu i një ndeshjeje të mbushur me raste, përmbysje dhe emocione deri në sekondat e fundit.