Tikveshi dhe Struga Trim Luma luajtën baras 2-2 në ndeshjen e xhiros së shtatë të Ligës së Parë të Futbollit, e cila u zhvillua në Kavadar. Të dyja skuadrat shfaqën futboll sulmues, ndërsa në fund ndanë nga një pikë.
Në minutën e dytë, Wisdom Okere gjuajti nga 18 metra, por Vasko Vasilev priti. Tikveshi kaloi në epërsi në minutën e 12-të. Lusianinjo ia vodhi topin Roçit, hyri në zonë dhe me një goditje të fuqishme mposhti Vasko Vasilevin.

Gjashtë minuta më vonë u përgjigj Struga Trim Luma. Memetriza Hamza krosi nga krahu i majtë, ndërsa Hammond Agamah me goditje me kokë e tundi rrjetën e vendasve. Në minutën e 20-të, Bojku gjuajti nga distanca, por ishte paksa i pasaktë.
Struga Trim Luma mund të kalonte në epërsi në minutën e 36-të. Arbi Vosha krijoi një mundësi të shkëlqyer, por Agamah nuk arriti të shënonte nga pesë metra. Megjithatë, mysafirët kaluan në epërsi në minutën e 43-të. Përsëri erdhi një krosim nga krahu i majtë, ndërsa Marjan Radeski me goditje me kokë mposhti Stevkovskin.

Në fillim të pjesës së dytë, Besir Ramadani pati një mundësi, por nuk reagoi siç duhet, ndërsa më pas Agamah shënoi, por ishte në pozitë jashtë loje. Në minutën e 75-të, Kehinde mund ta vendoste fatin e ndeshjes pas asistimit të Bunjamin Shabanit, por Stevkovski u fut në trajektoren e goditjes dhe e largoi topin në korne.

Më pas Tikveshi shtoi presionin dhe kjo dha rezultat. Në minutën e 87-të, një top i gjatë i shkëlqyer nga Varelovski e gjeti Santos Ferreira Renatinjon, i cili në stilin brazilian e priti topin dhe e tundi rrjetën e Struga TL-së për rezultatin përfundimtar 2-2.






