Skopje dhe Shkëndija e Haraçinës kalojnë në Ligën e parë, Pelister e AP Brera do të luajnë në Ligën e Dytë

Klubet e futbollit të Skopjes dhe Shkëndijës së Haraçinës, janë anëtarët e rinj të elitës së futbollit në Maqedoni, pas zhvillimit të ndeshjeve dramatike të play-off-it, në të cilat ekipet e Pelisterit dhe AP Brera pësuan disfatë dhe u transferuan në Ligën e Dytë.

KF Skopje shënoi fitore minimale 1-0 kundër ekipit të AP Brera, ndërsa Shkëndija e Haraçinës, pas një trilleri të vërtetë të penalltive në Kavadar, ishte më e suksesshme se Pelisteri. Pjesa e rregullt e ndeshjes përfundoi në barazim 1-1.

Dueli në Manastir midis Skopjes dhe AP Brera ofroi një luftë maksimalisht të barabartë gjatë gjithë 90 minutave, dhe e gjithë drama u zhvillua në fund. Momentet kyçe filluan në minutën e 86-të kur Angellov humbi një shans kolosal për të kaluar Skopjen në epërsi, pasi nuk arriti të shfrytëzonte penalltinë. Megjihatë, në sulmin e radhës, pas një goditjeje këndi të ekzekutuar në mënyrë perfekte, Trajçevski arriti që zonën e penalltisë, me ndihmën e shtyllës, të vendos topin në rrjetë, për gëzimin e madh të mysafirëve nga Shkupi.

Ndeshja në Kavadar solli edhe më shumë emocione, ku rrjetat ishin të paprekura deri në pjesën e dytë. Skuadra nga Haracina ishte e para që kaloi në epërsi me një gol të Nazifit, i cili zhvilloi shkëlqyeshëm një kundërsulm të shpejtë dhe loboi me saktësi portierin e skuadrës nga Manastiri. Pas golit, lojtarët e Pelisterit kërkuan barazimin duke kaluar në sulm. Dhe në një ofensivë të tillë, arritë që të shpërblehen me penallti. Megjithatë, sulmuesi me përvojë Mirko Ivanovski u dorëzua ndaj presionit në këtë situatë vendimtare. Fillimisht gjuajtja e tij nga pika e bardhë u ndal nga portieri i Shkëndijës, dhe më pas e dërgoi topin e rikuperuar lart mbi traversë.

Edhe pse në atë moment dukej se skuadra e Manastirit ishte në prag të humbjes, ata nuk u dorëzuan. Në kohën shtesë, ata fillimisht goditën traversën, dhe në minutën e 97-të, pas një asisti nga Spirovski, Petkovski shënoi golin e barazimit, duke e çuar ndeshjen në ekzekutimin e penalltive.

Gjuajtja e penalltive u shndërrua në një dramë të vërtetë, ku heroi absolut ishte portieri i Shkendijës së Haraçinës, Antonio Stolevski. Ai fillimisht priti një penallti në serinë e katërt, ndërsa në të pestën shkëlqeu përsëri me gjuajtjen e pritur të Ristevskit. Edhe pse atëherë filloi një festë e madhe, gjyqtari kryesor Stojçevski, pas një ndërhyrjeje nga dhoma e VAR-it, e anuloi penalltinë, sepse portieri doli para kohe nga vija e portës.

Në përpjekjen e përsëritur, Ristevski barazoi rezultatin në 4-4, pas së cilës kapiteni i Shkëndijës, Nuhija, humbi tentimin nga pika e bardhë.

Drama vazhdoi në serinë e gjashtë me humbje të reja nga të dyja palët, dhe më në fund, në serinë e tetë, Stolevski e zbuti përsëri gjuajtjen e Petkovskit. Në sulmin tjetër, Dervishi ishte i qetë dhe preciz nga pika e bardhë, duke e çuar zyrtarisht Shkëndijën e Haraçinës në Ligën e Parë.