Ekipi i Struga Trim Lum sot (ora 16:00) do të jetë mysafir i Tikveshit në Kavadar, me një qëllim të qartë – të regjistrojë fitoren e parë si mysafir këtë sezon.
Struganët e presin duelin me një atmosferë të shkëlqyer, pasi të hënën mposhtën Sileksin dhe arritën triumfin e katërt radhazi në shtëpi. Tani synimi është ta bëjnë të njëjtën gjë edhe në transfertë.
Sezonin e kaluar, Struga TL fitoi minimalisht 0-1 në Kavadar, ndërsa golin e vetëm e shënoi Memetriza Hamza. Pikërisht ai do të jetë sërish një nga lojtarët prej të cilëve mysafirët presin shumë.
„Atmosfera në ekip është e shkëlqyer. Kemi punuar maksimalisht gjatë gjithë javës dhe të gjithë jemi plotësisht të fokusuar te ndeshja. E dimë se na pret një duel i vështirë, por besojmë te vetja dhe te grupi. Me angazhim maksimal dhe disiplinë, shpresojmë të arrijmë rezultatin që dëshirojmë në Kavadar“, deklaroi Hamza.

Reprezentuesi i ekipit të të rinjve pret një ndeshje të vështirë, por beson se Struga TL ka cilësinë për t’i bërë ballë Tikveshit.
„E respektojmë Tikveshin dhe e dimë se ka një përbërje cilësore, veçanërisht pas fitores ndaj Shkëndijës. Por ne i dimë cilësitë dhe forcën tonë. Jemi të përgatitur dhe do të japim maksimumin nga minuta e parë deri në të fundit për ta kërkuar fitoren e parë si mysafir“, përfundoi Memetriza Hamza.
Ndeshja mes Tikveshit dhe Struga Trim Lum është caktuar për sot, me fillim në orën 16:00, në stadiumin në Kavadar, ndërsa do ta gjykojë Igor Stojçevski.





