Trumchi: Shkojmë në Gostivar për të dhënë maksimumin për tri pikë të tjera

Shkëndija sot luan si mysafire në Gostivar me një objektiv të qartë – rikthim të shpejtë në rrugën e fitoreve dhe reagim pas humbjes së papritur nga Tikveshi në xhiron e kaluar. Mbrojtësi i djathtë Aleksandar Trumçi ndau mendimet e tij për gabimet e analizuara dhe përgatitjen e ekipit për duelin e ardhshëm kundër skuadrës së Arsimit.

„Sigurisht që ajo humbje nuk ishte e lehtë për ne, veçanërisht duke pasur parasysh se pas vetes kishim një seri prej pesë fitoresh radhazi. Megjithatë, e analizuam ndeshjen dhe i evidentuam gabimet tona. Pa ia mohuar asgjë meritave të kundërshtarit — i cili e bëri atë që duhej — fakt është se ne vetë, me lëshimet tona, lejuam që ndeshja të shkonte në atë drejtim“, theksoi Trumçi.

Mbrojtësi i „kuqezinjve“ të Tetovës beson se ekipi do të tregojë reagimin e vërtetë në fushë.

„Kemi punuar shumë pas humbjes për t’i eliminuar të gjitha mangësitë. Arsimi është një rival serioz dhe jemi të vetëdijshëm se çdo ekip mund të na shkaktojë probleme nëse nuk hyjmë me seriozitet maksimal dhe nuk e imponojmë lojën tonë karakteristike. Megjithatë, në Gostivar shkojmë të japim gjithçka nga vetja dhe t’i fitojmë të tre pikët.“

Drilon Islami është i pezulluar për shkak të kartonit të kuq nga ndeshja e mëparshme me Tikveshin, ndërsa Bojan Dimoski ende po rikuperohet nga lëndimi.

Mesfushori brazilian Rafael Freitas prej disa ditësh po stërvitet me intensitet maksimal dhe do të jetë në dispozicion për paraqitje. Në ekip janë rikthyer edhe Endrit Krasniqi, sulmuesi Marko Gjorgjievski dhe portieri Babukar Gaye.

Dueli mes Arsimit dhe Shkëndijës luhet sot në stadiumin e qytetit në Gostivar, duke filluar në orën 16:00, ndërsa drejtësinë në këtë ndeshje do ta ndajë Vllatko Ilijoski.