Ekipi i Tikveshit nga Kavadari u kthye me plot fitore nga vizita në Gostivar, pasi festoi kundër Arsimit me rezultat bindës prej 5:0, në kuadër të xhiros së 21-të të kampionatit vendas të futbollit. Ndeshja ishte në kontroll të plotë të mysafirëve, veçanërisht në pjesën e parë.
Tikveshi kaloi në epërsi që në minutën e parë. Pas një aksioni individual, Stojanov gjuajti saktë dhe e mposhti portierin Islami. Fillimisht, u sinjalizua një pozicion i mundshëm jashtë loje, por pas kontrollit të VAR, goli u njoh si 0:1.
Goli i hershëm ishte një goditje e fortë për vendasit, të cilët e patën të vështirë të gjenin ritmin në minutat e para. Në minutën e 9-të, Guell shënoi nga afërsia për 0:2, dhe dominimi i vizitorëve vazhdoi me golin e tretë, nga Luisianinho, i cili e çoi epërsinë në 0:3 dhe praktikisht zgjidhi çështjen e fituesit në pjesën e parë.
Arsimi pati disa përpjekje për t’u rikthyer në lojë. Në minutën e 41-të, Selmani goditi traversën dhe pak më vonë, Argyend Ghafuri pati një rast të mirë, por topi përfundoi pak jashtë shtyllës. Në fund të pjesës së parë, Tikvesh krijoi disa raste të tjera, por portieri vendas parandaloi një rezultat më bindës.

Në pjesën e dytë, vendasit u përpoqën të reagonin. Fatjon Jusufi kërcënoi me një gjuajtje të fortë, por portieri Stevkovski ishte i sigurt. Megjithatë, pas një gabimi në mbrojtjen e Arsimit, Sila shënoi gol për 0:4, dhe vetëm një minutë më vonë David Golubov e çoi epërsinë në 0:5.
Kjo ishte një nga paraqitjet më të dobëta të Arsimit në shtëpi këtë sezon, ndërsa Tikveshi konfirmoi edhe një herë se ka një skuadër homogjene dhe cilësore.
Pas kësaj humbjeje, Arsimi është në pozicionin e nëntë me 26 pikë, ndërsa Tikveshi u ngjit në vendin e gjashtë me 27 pikë.





