Klubi nga Maqedonia me më shumë trofe dhe kampioni në fuqi, Vardari, nuk e nisi në mënyrën më të mirë sezonin e ri në Ligën e Parë. Për këtë arsye, tashmë pati disa ndryshime në stafin teknik. Pas humbjes nga Shkëndija, u largua strategu argjentinas Kristian Fabiani, më pas përkohësisht në stol u ul Matija Mirkov, ndërsa në ndeshjen e sotme me Arsimin duhet të debutojë strategu i ri, Miodrag Bozhoviqi.
Me trajnerin e ri në stol, sigurisht që vijnë edhe motivime të reja për të gjithë ekipin, ndërsa futbollistët duhet ta tregojnë këtë në ndeshjen me Arsimin.
„Motivimi është maksimal, shkojmë për fitore. Asgjë tjetër nuk është opsion“, porosisin nga kampi i „kuqezinjve“.
Para duelit të sotëm të xhiros së gjashtë, Vardari dhe Arsimi kanë nga shtatë pikë të fituara dhe ndodhen në vendin e gjashtë dhe të shtatë në tabelë.
Ndeshja mes Vardarit dhe Arsimit është caktuar për në orën 19:00 në stadiumin e kompleksit të FFM-së, ndërsa do ta gjykojë Igor Stojçevski.





