Lideri në konkurrencën e ligës së parë, Vardari, në mënyrën më të mirë të mundshme tregoi se këtë sezon është favoriti kryesor për fitimin e titullit.
Këtë herë, në kuadër të xhiros së 29-të të kampionatit vendor, Vardari në fushë vendase në Arenën “Todor Proeski” në Shkup, arriti të festojë ndaj Tikveshit me rezultat bindës 7:0.
Fitorja bindëse e Vardarit u paralajmërua që në minutën e tretë të ndeshjes, kur Cvetkoviç arriti të shënonte për rezultatin 1:0.

Në minutën e 25-të Goran Zakariç ngriti epërsinë në 2:0, ndërsa vetëm katër minuta më vonë Darko Velkovski i siguroi tashmë një avantazh bindës skuadrës vendase.
Që nga ai moment u bë e qartë drejtimi në të cilin do të shkonte ky duel. Gjeorgije Jankulov në minutën e 39-të ngriti rezultatin në 4:0.
Kartoni i kuq i Danail Tasevit e vështirësoi edhe më tej situatën në fushë për mysafirët nga Kavadari.
Në pjesën e dytë, në minutën e 61-të, Vardari përmes Cvetkoviçit ngriti rezultatin në 5:0, përpara se në skenë të dilte kapiteni Azer Omeragiç.

Fillimisht, në minutën e 75-të, realizoi me kokë për 6:0, ndërsa në minutën e 82-të u akordua një penallti për vendasit. Kapiteni Azer Omeragiç ishte i saktë nga pika e bardhë për 7:0, duke shkaktuar një katastrofë të vërtetë për skuadrën mysafire.
Pas 29 xhirove, Vardari vazhdon të jetë lider, kësaj here me 71 pikë, ndërsa Tikveshi mbeti në kuotën e mëparshme prej 40 pikësh.






