Struga Trim Lum, në një atmosferë të mirë po përgatitet për derbin e ri në kampionatin vendor. Pas fitores minimale 1-0 ndaj Vardarit, skuadra strugane do të përballet me Shkëndijën.
Për shkak të punimeve ndërtimore në stadiumin në Tetovë, ndeshja e raundit të katërt do të luhet në Shkup, në stadiumin e kompleksit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë.
Në prag të derbit, foli mesfushori ofensiv i Struga Trim Lum, Arbi Vosha.
"Shkëndija ka një ekip të shkëlqyer, të përbërë nga lojtarë cilësorë, por ne jemi të përqendruar vetëm në punën tonë. Në ndeshje të tilla, çdo lojtar duhet të japë maksimumin, dhe në fund shpresojmë për një rezultat pozitiv", tha Vosha.

Sulmuesi zbuloi gjithashtu se atmosfera në ekip është në një nivel të lartë dhe përgatitjet për derbin po shkojnë sipas planit.
"Atmosfera është shumë e mirë dhe përgatitjet kanë shkuar shkëlqyeshëm. Kemi punuar me përqendrim maksimal në këtë ndeshje gjatë gjithë javës. Çdo lojtar dëshiron të shënojë gola. Natyrisht, edhe unë dua të shënoj, por në këtë moment tre pikët janë shumë më të rëndësishme. Pavarësisht se kush shënon, shpresoj që në fund të jemi të lumtur me fitoren dhe t'i çojmë tre pikët në Strugë", përfundoi Arbi Vosha.
Ndeshja midis Shkëndijës dhe Struga Trim Lum do të luhet në kompleksin e FFM-së, me fillim në orën 19:00.





