Krstevski: Na pret një ndeshje e vështirë, e kemi analizuar mirë kundërshtarin

Shkëndija kërkon fitoren e katërt rradhazi për të mbetur skuadra e vetme me efekt 100% në sezonin e ri. Pas dy ndeshjeve të para prapa dyerve të mbyllura, “kuqezinjtë” presin mbështetjen e madhe të tifozëve. Sulmuesi i krahut, Vane Krstevski, beson se skuadra tetovare është në rrugë të mbarë që të vazhdojë me fitoret, edhe përball Struga Trim Lum.

“Në ekip mbizotëron një atmosferë e shkëlqyer. Po përgatitemi ngadalë për Strugën, e dimë se na pret një ndeshje e fortë dhe e kemi analizuar mirë. E nisëm mbarë me tre fitore dhe shpresojmë që të lidhim edhe një tjetër, siç është normale. Mendoj se paraqitja në Evropë na mundoi pak, u eliminuam pa fat edhe pse donim të përsërisnim suksesin e vitit të kaluar. Tani jemi të fokusuar te kampionati dhe shpresojmë se do ta fitojmë titullin këtë vit, e kështu vitin e ardhshëm do ta përsërisim suksesin edhe në Evropë,” tha fillimisht Vane Krstevski.

Pas shlyerjes së dënimit prej dy ndeshjeve pa publik nga Komisioni i Disiplinës (për ngjarjet në finalen e Kupës), “kuqezinjtë” do të kenë lojtarin e 12-të në tribuna.

“Mendoj se është përparësi dhe privilegj të luajmë nën dritat e reflektorëve. Koha është mjaft e nxehtë dhe në kushte të tilla është e vështirë të luhet. Edhe jashtë Tetovës, siç e përmendët, na mungonte publiku, por shpresojmë që nga ndeshja e nesërme do t’i kemi në mbështetje dhe gjithçka do të jetë më e lehtë,” tha në fund Vane Kërstevski.

Te Shkëndija do të mungojnë: portieri Baboukar Gaje, Rafael Freitas dhe Marko Gjorgjievski, Bojan Dimoski, ndërsa Anes Meliqi vazhdon të jetë i pezulluar shkaku i kartonit të kuq. Në ekip rikthehet mbrojtësi i qendrës Jovan Manev.

Ndeshja në mes Shkëndijës së Tetovës dhe Struga Trim Lum do të zhvillohet në Qendrën Sportive “Petar Milloshevski”, në orën 19.00, ndërsa drejtësia në këtë derbi i është besuar arbitrit Stojançe Trpçevskit.