Acibadem Sistina, partneri i ri mjekësor i ekipeve kombëtare të Maqedonisë

Spitali klinik „Acibadem Sistina“ dhe Federata e Futbollit të Maqedonisë lidhën marrëveshje sponsorizimi dhe bashkëpunimi, me të cilën spitali bëhet partneri zyrtar mjekësor i përfaqësueses së futbollit të Maqedonisë, duke ofruar kujdes dhe mbështetje gjithëpërfshirëse mjekësore për futbollistët e Përfaqësueses A dhe Përfaqësueses kombëtare deri në 21 vjeç.

Me rastin e fillimit të bashkëpunimit, përfaqësuesit Gjoko Zajkov, Bojan Miovski dhe Ezgjan Alioski, së bashku me përzgjedhësin Goce Sedlloski, vizituan qendrën sportive „Premium“, ku u takuan me drejtuesit e spitalit dhe u njohën me kapacitetet mjekësore dhe shërbimet që do të jenë në dispozicion të tyre në kuadër të partneritetit të ri.

„Është nder dhe kënaqësi për ne që po fillojmë bashkëpunimin me futbollistët që përfaqësojnë vendin tonë në skenën sportive ndërkombëtare. Si spital, jemi krenarë që do të jemi mbështetja e tyre mjekësore. Shpresojmë që të kenë sa më pak nevojë për shërbimet tona, por ekipi ynë do të jetë gjithmonë këtu për ta. Veçanërisht na gëzon fakti që, përveç Përfaqësueses A, do të ofrojmë mbështetje mjekësore edhe për ekipin e moshave deri në 21 vjeç“, deklaroi dr. Mihajlo Ivanovski, specialist i traumatologjisë.

Në kuadër të bashkëpunimit, Spitali klinik „Acibadem Sistina“ do të ofrojë kujdes të vazhdueshëm mjekësor për përfaqësuesit dhe anëtarët e stafit profesional gjatë përgatitjeve zyrtare dhe grumbullimeve të përfaqësueses, si dhe mbështetje të plotë mjekësore gjatë ndeshjeve ndërkombëtare të Përfaqësueses A. Mbështetja do të përfshijë parandalimin, diagnostikimin, trajtimin dhe rehabilitimin e dëmtimeve sportive, me qëllim ruajtjen e shëndetit dhe përgatitjes fizike të futbollistëve.

„Për ne, futbollistët, ky bashkëpunim do të thotë siguri dhe besim shtesë, sepse e dimë se për shëndetin tonë do të kujdesen profesionistë të nivelit më të lartë. Jemi të gatshëm të japim maksimumin në fushë dhe të vazhdojmë t’i gëzojmë të gjithë ata që na mbështesin“, deklaroi përfaqësuesi Gjoko Zajkov.

Me këtë partneritet, „Acibadem Sistina“ konfirmon përkushtimin e saj ndaj shëndetit të sportistëve dhe mbështetjes së sportit maqedonas, duke u mundësuar përfaqësuesve kujdes mjekësor të sigurt dhe në kohë në rrugën drejt sukseseve të reja sportive.