Pas fitores së madhe ndaj Shkëndijës në Tetovë, skuadra e Bashkimit hyn me shumë optimizëm në duelin e radhës me “kuqezinjtë”. Në xhiron e 30-të, skuadra nga Kumanova do të përballet me Vardarin, por në vend të Kumanovës, ndeshja do të luhet në Gostivar.
Edhe pse Bashkimi do të presë klubin më të suksesshëm në Maqedoni në një fushë neutrale, motivimi i lojtarëve është në nivelin më të lartë. Ekipi është ende në kërkim të "zonës së sigurt" për mbijetesë në elitë, gjë që është një motiv shtesë për sukses.
Kapiteni i Bashkimit, Armend Alimi, thekson se atmosfera në dhomat e zhveshjes është e shkëlqyer dhe se qëllimi është i qartë - tri pikë të reja.
"Është normale që po shkojmë për fitore edhe në këtë ndeshje. Ende nuk jemi të sigurt matematikisht në renditje, kështu që ky triumf është me rëndësi jetike për ne. Jemi të motivuar dhe besoj se do të japim më të mirën tonë për të fituar pikët edhe në Gostivar", tha Alimi.

Gjatë historisë, këto dy skuadra janë takuar gjithsej 17 herë. Statistikat janë në anën e skuadrës nga Shkupi, e cila ka 10 fitore, ndërsa 3 ndeshje kanë përfunduar me barazim. Skuadra nga Kumanova doli fituese në katër ndeshje, herën e fundit më 13 prill 2008 (2-0).
Ndeshja midis Bashkimit dhe Vardarit fillon në orën 16:00 në stadiumin e Gostivarit.





