Shkëndija arriti fitoren e katërt radhazi pasi mposhti ekipin Trim Lum të Strugës me rezultatin 2-1 në shtëpi, në një ndeshje të mbushur me ritëm, kthesa dhe rolin e rëndësishëm të sistemit VAR.
Minutat e para u kaluan në një përballje të fortë, me Shkëndijën që kishte një iniciativë të lehtë në fushë. Kërcënimet e para më të rrezikshme erdhën nëpërmjet Kryeziut në minutën e 16-të dhe Krasniqit në minutën e 20-të, por gjuajtjet e tyre përfunduan jashtë portës së mysafirëve.

Presioni nga skuadra vendase solli rezultat dhe në minutën e 29-të, Arbin Zejnullai bëri një asist të shkëlqyer, dhe Ndzengue shënoi golin për 1-0. Disa minuta më vonë, i njëjti lojtar shënoi një tjetër gol, por pas një reagimi nga sistemi VAR, ai u anulua për shkak të pozicionit jashtë loje. Para përfundimit të pjesës së parë, Papa Fall u përpoq të surprizonte portierin vendas Ramani, i cili ishte në lartësinë e detyrës.

Struga TL hyri në pjesën e dytë më agresivisht. Në minutën e 55-të, Radeski goditi traversën, dhe në vazhdim të aksionit, u rishikua situata ku Adurahmani shkaktoi një faull ndaj Bunjamin Shabanit në zonën e penalltisë. Gjyqtari tregoi nga pika e penalltisë, dhe Maleski shndërroi në gol në minutën e 59-të për 1-1.
Pasoi një lojë e hapur me raste nga të dyja palët. Tamba dhe Zejnulai kërcënuan për Shkendijën, ndërsa Maleski pati një rast të shkëlqyer për Strugën, por Trumci dhe Ramani parandaluan një kthesë.

Vendimi erdhi në minutën e 84-të: Pas një lëvizjeje të shpejtë të Shkndijës në të majtë, Arbi Vosha shkaktoi një faull ndaj Ndzengue në zonën e penalltisë. Ekzekutuesi i sigurt i penalltisë ishte Besart Ibrahimi, i cili e vendosi rezultatin përfundimtar 2-1.
Në finalen dramatike, Bojku dhe Maleski patën raste për të barazuar rezultatin, por portieri Ramani dhe mbrojtja e Shkëndijës ia dolën mbanë për një fitore të madhe dhe tri pikë të tjera.






