Iseni: Të ndalim fillimin e keq me një fitore të madhe

Skuadra e Bashkimit është në kërkim të fitores së parë në sezonin e ri të Ligës së Parë Futbollistike në Maqedoni. Në kuadër të javës së 5-të, Bashkimi, në terrenin vendas do të mirëpret Shkëndijën e Haraçinës, e cila deri më tani ka arkëtuar 4 pikë (një fitore dhe një barazim) në elitën e futbollit vendor.

Vendasit kërkojnë fitoren për të ndaluar startin e keq, ku nuk kanë shënuar asnjë gol, ndërsa kanë pranuar plot 15 gola.

“Ndeshje shumë e rëndësishme për ne ndaj Shkëndijës së Haraçinës. Pas një starti të keq, shpresojmë të rikthehemi te fitorja dhe t’i gëzojmë tifozët tanë,” tha fillimisht Bilall Iseni.

Lojtarët e Bashkimit e dijnë se nuk do të jetë një detyrë e lehtë.

“Përballë kemi një kundërshtar shumë mire të organizuar, andaj na pret një sfidë e vështirë. Besojmë se në fund mund të arrijmë deri te 3 pikët e para dhe të ndalojmë startin e keq për të gëzuar publikun tonë,” thot mes tjerash Bilall Iseni.

Në përballjen e vetme mes këtyre dy skuadrave, në miqësoren e zhvilluar më 25 janar të vitit të kaluar, skuadra Shkëndijës shënoi fitore me 2-0

Ndeshja në mes Bashkimit dhe Shkëndijës së Haraçinës, do të zhvillohet në stadiumin në Kumanovë me fillim në orën 16.30, ndërsa do të drejtohet nga arbitri Stojançe Trpçevski.