Befasi në Kavadar: Simonovski i solli fitoren e parë Shkëndijës së Haraçinës në Ligën e Parë

Skuadra e Shkëndijës nga Haraçina arriti fitoren e parë në historinë e saj në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë. Ekipi kuqezi ia doli të marrë tri pikë të mëdha në transfertën e Kavadarit kundër Tikveshit, skuadrës që kishte shënuar dy fitore bindëse në startin e sezonit të ri në Ligën e Parë.

Golin e vlefshëm për fitoren e shënoi Marko Simonovski në minutën e 27‑të. Nga krahu i majtë Vildan Kerim krosoi, ndërsa nga 6‑7 metra me kokë Simonovski e mposhti Stevkovskin për epërsinë e mysafirëve.

Tikveshi menjëherë u përpoq të barazonte, por nuk shfrytëzoi disa raste të mira deri në fund të ndeshjes. Më seriozin e pati Wisdom në minutën e 78‑të, kur doli i vetëm përballë portës së mysafirëve, por goditi vetëm traversën. Më pas edhe Laval pati mundësi, por gjuajtjen e tij e priti Stolevski.

Vendasit sulmuan ashpër për të arritur të paktën një pikë, por mysafirët nga Shkupi u mbrojtën dhe arritën fitoren e parë, madje në fushën e deritanishme skuadrës më të mirë nga dy xhirot e para në Ligën e Parë.