Fitorja e parë e Bashkimit në sezonin e ri

Ekipi i Bashkimit e mposhti Skopjen në transfertë me rezultatin 2-1 dhe i fitoi tri pikët e para në kampionat.

Rastin e parë më konkret e pati Bashkimi, kur Ribeiro goditi pjesën e jashtme të rrjetës. Në anën tjetër, në rastin e parë serioz të vendasve në minutën e 14-të, Angellov goditi saktë, por portieri i Bashkimit, Aliu, ishte në lartësinë e detyrës. Menjëherë më pas, Ribeiro u nis në një aksion individual në zonën e kundërshtarit, por portieri vendas Naumovski reagoi shkëlqyeshëm.

Në minutën e 18-të, Ribeiro asistoi në zonë, por mbrojtja e Shkupit arriti ta bllokojë Andri Stafën vetëm 6 metra larg portës. Në minutën e 25-të, Ribeiro ishte i pasaktë nga goditja e lirë e ekzekutuar nga 17 metra.

Bashkimi kaloi në epërsi në minutën e 30-të. Mysafirët zhvilluan një sulm të shpejtë dhe pas asistimit të Ribeiros, sulmuesi i ri Rashid shënoi golin e tij të parë për ekipin nga Kumanova. Tre minuta para përfundimit të pjesës së parë, Adis Murati pati një rast të mirë në zonën e Shkupit, por goditi fare pranë portës.

Bashkimi e nisi më mirë edhe pjesën e dytë. Që në sulmin e parë, Andri Stafa goditi fuqishëm, por topi kaloi pranë portës.

Në aksionin pasues, kumanovarët e rritën epërsinë: Ribeiro goditi, portieri Naumovski e grushtoi shkurt topin, ndërsa topin e devijuar e priti kapiteni Adis Murati dhe e dërgoi në rrjetë për 2-0.

Kërcënimi i parë më serioz i Skopjes në pjesën e dytë solli edhe ngushtimin e rezultatit. Në minutën e 69-të, Limani e ndaloi në mënyrë të parregullt Nikolovskin në zonë, ndërsa gjyqtari Idrizi tregoi pikën e bardhë. Ekzekutues i sigurt i penalltisë ishte Ali Adem, duke shënuar golin e tij të parë me fanellën e Skopjes për rezultatin përfundimtar 1-2.

Deri në fund të ndeshjes nuk pati raste konkrete në të dyja anët, ndaj mysafirët i vulosën tri pikët. Në javën e 7-të, Skopje do të jetë mysafir i ekipit të Shkëndijës së Haraçinës, ndërsa Bashkimi në shtëpi do t’i masë forcat me Vardarin.