Shkëndija mposhti Bregallnicën në Shtip me golin e Ariton Mehmedit

Ekipi i Shkëndijës nga Haraçina, falë golit të Ariton Mehmedit, regjistroi fitoren e tretë këtë sezon, duke mposhtur Bregallnicën në Shtip.

Pjesa e parë ofroi lojë dinamike me një numër të madh rastesh për gol. Serinë e rasteve e nisi Ivan Gligorov në minutën e 17-të, pas asistimit të Stojkovit, por goditja e tij përfundoi pranë portës së vendasve. Vetëm dy minuta më vonë, në anën tjetër, Selmani depërtoi shkëlqyeshëm në zonë, por gjuajti në mënzrë të pasaktë dhe topi shkon jashtë kuadratit të portës. Në minutën e 22-të pasoi një kundërsulm i shpejtë i Shkëndijës, Selmani gjeti Kerimin, por ai nuk arriti ta kontrollonte mirë topin, ndaj mbrojtja vendase reagoi në kohë.

Vetëm shtatë minuta më vonë, Amir Nuhija lëshoi një predhë të vërtetë nga 20 metra, ndërsa portieri Jashar, me përpjekje të jashtëzakonshme, e devijoi topin në rivënie nga këndi. Bregallnica u kundërpërgjigj menjëherë përmes Maksimovit, i cili gjuajti nga 18 metra, por portieri i mysafirëve, Stolevski, ishte në lartësinë e detyrës. Pasoi një depërtim i shkëlqyeshëm individual i Gligorovit, me goditje përfundimtare pranë shtyllës, ndërsa në aksionin e radhës Stojanov goditi bukur volej nga 17 metra, por mbrojtja e bllokoi dhe e dërgoi topin mbi portë. Në minutën e 40-të, Velkovski gjuajti me kokë nga pesë metra mbi traversë, ndërsa në kohën shtesë të pjesës së parë Adili asistoi me gjoks, dhe Vildan Kerimi lëshoi një „bombë“ të vërtetë, e cila kaloi pranë shtyllës së Bregallnicës.

Mysafirët e nisën më mirë pjesën e dytë, ndërsa Nuhija në minutën e 50-të rrezikoi nga goditja e lirë prej 20 metrash. Momenti kyç ndodhi në minutën e 79-të, kur Matej Maksimov mori kartonin e dytë të verdhë, duke e lënë Bregallnicën me një lojtar më pak. Mysafirët e shfrytëzuan menjëherë epërsinë numerike. Ariton Mehmedi lëshoi një goditje të fuqishme nga 17 metra, nga ana e majtë, topi u përplas në njërin prej mbrojtësve dhe përfundoi në rrjetën e Jasharit për fitoren e Shkëndijës. Në fundin e ndeshjes, për shkak të protestës ndaj gjyqtarit Karçevski, Enis Fazlagiq u përjashtua me karton të dytë të verdhë.