Bashkimi e ka lënë pas fillimin krizë të sezonit dhe serinë prej pesë humbjesh radhazi. Triumfet ndaj Shkupit dhe BVB Konjarës në Kupë, si dhe barazimi (3-3) me Vardarin, ia rikthyen vetëbesimin skuadrës nga Kumanova. Sot përballë tyre është një nga sfidat më të vështira të sezonit — përballja e javës së 8-të kundër Shkëndijës së Tetovës, e cila do të zhvillohet në terren neutral në Gostivar.
„Atmosfera ndaj Shkëndijës është gjithmonë specifike. Përballemi me një skuadër që ka pretendime për titull dhe një kontingjent cilësor lojtarësh, por ne nuk e ngremë flamurin e bardhë. Në Gostivar hyjmë maksimalisht të motivuar për të nxjerrë një rezultat pozitiv“, theksoi Andri Stafa.
Deri tani, këta dy rivalë i kanë matur forcat 16 herë: Shkëndija ka 8 fitore, Bashkimi ka triumfuar në 6 ndeshje, ndërsa 2 përballje kanë përfunduar pa fitues. Është interesante se në duelin e fundit mes tyre, skuadra nga Kumanova shkaktoi befasi dhe e mori të gjithë plaçkën në mes të Tetovës, duke fituar 3-2.
Ndeshja Shkëndija – Bashkimi zhvillohet sot në orën 16:00 në stadiumin në Gostivar, ndërsa ndeshjen do ta gjykojë arbitri kryesor Fatmir Bafto.





